Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë është nga më të bukurit e vendit tonë. Shtrihet në verilindje teksa shkon në Librazhd.
Rruga nga Tirana deri në Librazhd, shkon rreth 1 orë e 40min, sepse do vazhdoni deri në fshatin Hotolisht. Me të mbërritur, do filloni ngjitjen e malit të Shebenikut, i lartë 2253 m dhe ndodhet në veri perëndim të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Disniveli është 1300 m, por rruga është e gjatë dhe duhet të përgatiteni mirë psikologjikisht. Ecja do t’iu shkoj rreth 8 orë ngjitje-zbritje edhe me pushimet që duhet të bëni gjatë rrugës. E mira është të bëni ndalesa 10 min për çdo 1 orë ecje.
Parku ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore, shkëmbore, etj.
Gjatë rrugës peisazhet janë marramendëse. Gjatë rrugës do të hasni burime uji, që janë përshtatur edhe për dhentë.
Përreth majave të malit, shtrihen 9 liqene akullnajore, të cilat ndodhen në lartësi mbi 1900 m mbi nivelin e detit. Më i madhi është liqeni i Rrajcës. Gjatësia e liqenit është 220m dhe gjerësia 160m.
Bimësia është jashtëzakonisht e shumtë në numër. Shpatet e Shebenikut janë të veshura me pyje të dendura ahu.
Në lartësinë deri 800 m, do të shikoni llojet e pemëve të dushkut, lisat, panjat, frashërit e drurë të tjerë.
Po të jeni me fat mund të shikoni kafshë të egra si rrëqebulli, ariu, derri i egër, dhia e egër, ujku, dhelpra, lepuj etj.
Kjo ecje në natyrë brenda parkut kombëtar, është nga më të bukurat në vend, sidomos në pranverë dhe verë, ku gjelbërimi është i tepër i madh.
Shtigjet janë të shumta për të arritur majën e malit të Shebenikut, ku disa prej tyre janë të shënuara.
Në zonë ka disa lloje bimësh të rralla dhe endemike.
Dhe ju keni mundësi t’i fotografoni.
Ecja është e gjatë. Do jenë rreth 22 km që do të përshkoni, ndaj duhet të keni parasysh disa gjëra.
Si fillim, mos merrni mundimin të shkoni nëse nuk jeni me përgatitjen fizike mbi mesataren, pra të bëni rregullisht ecje në natyrë dhe të merreni me stërvitje. Gjithashtu të jeni të shëndetshëm dhe të mos keni fobi lartësitë.
Duhet të merrni patjetër një shishe 1.5 litra ujë; ushqim dhe fruta me lëng ose fruta të thata.
Veshja duhet të jetë e përshtatshme për mal, bluze dhe xhaketa të ngrohta kundra erës. Malit nuk i dihet asnjëherë, ndaj duhet të keni edhe mushama.
Rrugë të mbarë dhe uroj ta shijoni udhëtimin, siç e kam shijuar unë 🙂
👏👏👏👏👏👏👌