Ujvara e Sotirës, Gramsh, Elbasan

Një tjetër sugjerim për një tjetër aventurë super! Këtë udhëtim mund ta bëj kushdo! Edhe ata që kanë pak përgatitje fizike, ata që nuk bëjnë palestër dhe fëmijët e vegjël.

Ujvara e Sotirës, duket pak si e fshehtë, por kur mbërrini atje, ajo shfaqet madhështore. Në hijen e shkëmbit dhe freskinë e ujit të ftohtë që sjell, ajo përbëhet nga 2 ujvara në të njëjtën vend burimi.

Ajo që është majtas është e lartë dhe me më pak prurje uji, ndërsa ujvara djathtas është e vogël, por e gjerë dhe me shumë prurje uji. Uji i ujvarës vjen nga mali i Tomorrit.

Nëse niseni nga Tirana, do të duhet të merrni drejtimin juglindje për në qytetin e Gramshit dhe më pas do të duhet të vazhdoni rrugën drejt fshatit të Sotirës. Ujvara është 22km larg Gramshit.

Me të mbërritur në fshat, do të merrni rrugën në këmbë për tek ujvara. Fshati është i vogël dhe i bukur dhe atje njerëzit do t’iu gostisin me fruta të stinës. Mund t’i pyesni për drejtimin që do të merrni dhe ata do t’iu ndihmojnë.

Ecja do të shkoj rreth 1orë e gjysmë dhe terreni është kodrinoro-fushor. Gjatë ecjes do të kaloni një urë të vogël, por tepër interesante, e ndërtuar nga banorët e zonës. Natyra e fshatit të Sotirës do t’iu kënaq nëse shkoni në pranverë ose verë.

Rruga kalon herë në mes të pyjeve me pemë si lisi, frashëri, bliri etj; e herë në terrene kodrinore të zhveshura nga bimësia. Gjatë rrugës do të shikoni lule të shumëllojshme.

Në fund do të mbërrini te një lëndinë e madhe, nga ku prej shumë larg do të shikoni ujvarën që ka marrë emrin e fshatit Sotirë. Nëse do të jetë qetësi, keni mundësi të dëgjoni edhe gjurmën e ujit nga shumë larg.

 

Në verilindje të Tomorrit, ndodhet burim i madh, që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 – 20 metra.

Do të zbrisni këtë lëndinë në një shteg të ngushtë dhe më pas do të jeni poshtë ujvarës. Një shkëmb i madh rri aty në mes, ku mund të hipni dhe të shkrepni foto. Pjesën e poshtme e zë dielli për pak orë, pasi shkëmbi krijon hije të madhe.

Nëse rrini poshtë ujit, piklat e ujvarës që duken si të vogla, do t’iu duken shumë të rënda dhe mund t’iu dhembi koka edhe një ditë më pas, ndaj nuk do t’ia u këshilloja ta bëni si lojë.

Për momentin nuk do e ndjeni, por më pas ndjesia që do të krijohet nuk do të largohet shpejt.

Uji i pastër dhe i rrjedhshëm, bën që rreth ujvarës të ketë bimësi të shumë dhe të pasur.

Kthimi për në fshat është nga po i njëjti shteg.

Do t’iu këshilloja që ushqimin ta merrni me vete dhe të bëni piknik në natyrë, pasi do t’iu shijojë më shumë në ajër të pastër.

Mos harroni një shishe ujë 1.5 litra, fruta dhe fruta të thata, krem për fytyrën, kapele, syze dielli, tuta, atlete. Duke qenë se është udhëtim që mund ta bëni brenda ditës edhe shpenzimet janë të vogla.

Uroj të kaloni një ditë që do ta mbani mend gjatë.   

Dhe mos harroni të bëni foto 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *