Kanioni i Lumit të Zezës, Krujë

Këtë herë jemi shumë afër Tiranës. Vetëm një orë larg saj me makinë, mbërrini në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Do të filloni ecjen nga fshati në drejtim të kanionit të lumit të Zezës.

Ecja është në terren disi malor dhe shtegu është rrugë mali. Në fillim të ecjes për në kanion, do të keni mundësi të shikoni një urë guri mesjetare me një hark, e cila mendohet të jetë e shekullit të XVII-të.

Ecja vazhdon përgjatë shtegut të kanionit, ku do të kaloni edhe në segmentin e rrugës së vjetër që ka lidhur Krujën me Matin, ku një pjesë e mirë e së cilës është akoma me kalldrëm.

Pamja është bresëlënëse. Ecja bëhet interesante duke parë bimësinë dhe malet përgjatë lumit të Zezës, që është me ujë shumë të pastër ngjyrë jeshil.

Vende-vende kanioni është i cekët dhe fare mirë mund të laheni në ujin e tij të kthellët. Por, në disa vende ai është i thellë dhe formon ujëvara si kjo që shikoni në foto. Vazhdoni ecjen duke kaluar nga njëra anë e lumit në anën tjetër, pikërisht sipër ujvarës së madhe që shikoni edhe në foto.

Lumit Ishëm shtrihet në Shqipërinë e Mesme dhe ka gjatësi 74 km. Një pjesë të ujit, që është edhe dega kryesore, vjen nga lumi i Zezës, i gjatë 22 km. Më së shumti prurjet shtohen nga uji i shiut dhe nga malet me borë. Rrjedhja e ujit të lumit është i rrëmbyeshëm, ndaj edhe ka formuar kanionin. Kanioni është i ndarë në mes nga lumi i Zezës, që i jep formë zig-zage.  Muajt ku bie më shumë shi janë Nëntori dhe Dhjetori, ndaj nuk ua sugjeroj që të bëni udhëtim në këtë periudhë. Ky lum fillon i merr prurjet nga shpatet perëndimore të Malit të Skënderbeut dhe më pas bashkohet me degë të tjera për t’u derdhur në Rodon të Durrësit.

Vazhdon ecja në terren herë të vështirë e me shteg të ngushtë, e herë zgjerohet shtegu e ecja bëhet në pyll të harlisur i zonës së makies.

Nuk mungojnë në këtë udhëtim edhe takimet gjatë rrugës me barinj të zonës, që kullosin bagëtitë, sidomos ato të imta, si: dhi dhe dele.

Nëse do të vazhdoni ecjen do të arrini në fund të kanionit, ku është gryka e lumit të Zezës. Ana tjetër e kanionit të çon në rezervuarin e Bovillës.

Sugjeroj të bëni një pushim të shkurtër nën hijen e rrapeve të mëdhenj, për të konsumuar ushqimin që keni marrë me vete. Kthimi përshkon të njëjtën rrugë, pra një pjesë të kanionit, për t’u kthyer edhe një herë në fshatin Nikël.

Nëse shkoni në periudhën e verës, sigurisht që përgjatë kanionit do të gjeni vende ku mund të bëni banjo dielli dhe të laheni në ujin e pastër të lumit të Zezës.

Ecja vatje-ardhje zgjat 3-4 orë deri në fund të kanionit. Kjo ecje në natyrë është e përshtatshme për të gjithë nivelet e fitnesit, pasi është e thjeshtë dhe terreni është kryesisht kodrinor.

Unë iu sugjeroj që të mos dilni nga shtëpia pa një shishe ujë 1.5 litra dhe veshje sportive; atlete, tuta dhe kapele. Përdorni krem për t’u mbrojtur nga dielli dhe merrni ushqim sipas dëshirës dhe fruta të thata.

One thought on “Kanioni i Lumit të Zezës, Krujë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *