Një vend i preferuar plazhi për Shkodranët, por jo vetëm…
Nëse niseni nga Tirana, do t’iu duhet rreth 2 orë e pak për të mbërritur në Shkodër dhe më pas do të merrni furgonat që të çojnë në fshatin Prekal, ku është edhe fillimi i Kanionit të Kirit.
Lumi i Kirit është degë e lumit të Drinit dhe sjell ujë nga alpet e veriut. Në këtë lumë ndodhet edhe Ura e Mesit, e ndërtuar në vitin 1770.
Ecja përgjatë kanionin nuk është e mundur në të gjithë gjatësinë e tij.
Edhe noti nuk rekomandohet në të gjithë gjatësinë, por vetëm në segmente të caktuara.
Kjo për shkak të formave të relievit të kanionit dhe shpesh guvave që gjenden në të, ku rrymat e ujit bëhen më të forta.
Kanioni gjendet në mes të maleve me formacione shkëmbore, kryesisht me ngjyrë shumë të bardhë.
Uji i Kirit është tepër i pastër dhe i ftohtë. Ngjyra e tij përngjan me atë të Valbonës e Vjosës.
Në ditët e nxehta të verës, është një prej destinacioneve më të preferuara, për shkak se uji është shumë i pastër dhe pamja përgjatë kanionit është mahnitëse.
Natyrë e egër dhe male të pyllëzuara me ajër të pastër do të jenë shoqëruesit tuaj për një fundjavë mbresëlënëse.
Ajo që duhet të merrni me vete janë: një shishe ujë, atlete, krem për mbrojtje nga dielli, rroba banjo, syze dielli, kapele, fruta të thata, çadër plazhi etj.
Ky aktivitet është i përshtatshëm për të gjithë nivelet e fitnesit.